Agim Ibraimi është një emër i njohur i futbollit vendor. Bëhet fjalë për një futbollistë me bagazh të madh, i cili karrierën e kishte nisur te Shkëndija, te e cila skuadër u rikthye të luaj në fillimin e vitit 2019-të, njofton “infOSport.mk”.
Rikthimi i tij në Tetovë u mirëprit me shumë bujë nga ana e tifozëve të Shkëndijës, mirëpo i njëjti nuk arriti që të vie në shprehje, edhe pse me fanellën “kuqezi” luajti për më shumë se një vit e gjysmë.
Ai brenda kësaj periudhe me Shkëndijën zhvilloi 40 ndeshje, duke realizuar 11 gola, shifër këtë të golave që me Kukësin e ka arritur në 24 ndeshje.
Si duket Ibraimi me transferimin verën e vitit të kaluar te Kukësi, është ringjallur, ndërsa më së miri për këtë flet edhe ftesa nga ana e seleksionuesit të përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angellovski.
Ibraimi kështu rikthehet te përfaqësuesja e vendit pas gati plotë 5 viteve, pasi për herë të fundit kishte luajtur në ndeshjen e 29 marsit të vitit 2016-të kundër Bullgarisë në Shkup, kur Maqedonia pësonte disfatë 2:0.
Ndryshe Ibraimi numëron 39 ndeshje dhe 7 gola me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, pjesë e së cilës do të jetë edhe për ndeshjet eliminatore të marsit, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit të vitit 2022, që do të mbahet në Katar.
Ndeshjen e parë në këtë cikël të ri garues, Maqedonia do ta zhvillojë kundër Rumanisë në Bukuresht me 25 mars, 3 ditë më vonë do të jemi nikoqir të Lihtenshtejnit, ndërkohë me 31 mars do të udhëtojmë drejt Dusiburgut për tu përballur me Gjermaninë. (infOSport.mk)