Shkëndija ka regjistruar fitoren më të thellë në përballjet ndaj Vardarit, duke mundur këta të fundit me rezultatin 6:1 midis Shkupit, njofton “infOSport.mk”.
Edhe kjo ndeshje i ngjasoi ndeshjes së fundit të zhvilluar në arenën “Todor Proeski”, kur të parët që shënonin ishin futbollistët e Vardarit.
Atë kohë me 17 tetor të vitit 2020, ishte Popzlatanov që shënonte pas 12 minutave lojë, ndërkohë sot Martin Mirçevski me të kaluar minuta e 11-të shënoi golin e parë në rrjetën e Shkëndijës.
Megjithatë kjo ishte e tëra që bënë vendasit në këtë ndeshje, pasi vazhdimi i takoi skuadrës tetovare, që thjeshtë vallëzonte në fushën e blertë në arenën “Todor Proeski”.
Florent Ramadani njëjtë sikurse edhe para 5 muajve arriti që të shënojë golin e barazimit për Shkëndijën në minutën e 27-të, kur përfitoi nga një pasim i Valmir Nafiut në zonën kundërshtare.
Nuk vonoi shumë dhe 7 minuta më vonë, Besart Ibraimi nga pika e bardhë shënoi edhe golin e dytë për Shkëndijën, skuadër kjo që në ato momente për herë të parë kaloi në epërsi përballë Vardarit.
Me shifrat 1:2 skuadrat shkuan në pushim, ndërkohë pjesa e dytë në tërësi foli për ekipin tetovar, që brenda 45 minutave shënoi edhe 4 gola të tjerë.
Pas një gabimi të portierit Filip Iliq, Besart Ibraimi duke shfrytëzuar edhe jo zgjuarsinë e mbrojtësve të Vardarit në minutën e 49-të shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Shkëndijën.
Ibraimi edhe njëherë tjetër u shfaq i rrezikshëm para portës kundërshtare, ndërsa këtë herë luajti rolin e asistuesit, kur mjaft mirë pasoi brenda zonës për Lupçe Doriev, i cili në minutën e 55-të shënoi për rezultat 4:1.
Ibraimi vazhdojë të “përdhunojë” futbollistët e Vardarit edhe në vazhdim të ndeshjes. Ata thjeshtë nuk mund të gjenin reçetën e duhur për të ndalur bomberin kërçovarë, i cili në të 68-tën asistoi për mrrekulli edhe për Valmir Nafiun, i cili arriti që të shënojë në mes këmbëve të Filip Iliq, mirëpo goli i sulmuesit të Shkëndijës u anulua për shkak pozitës jashtëloje.
Mirëpo këtu nuk ishte fundi i “shout” të Besart Ibraimit i cili në të 69-tën asistoi për mrrekulli për Rubin Hebajn, i cili vetëm pas 30 sekondave lojë të kaluara në fushën e blertë, në kontaktin e tij të parë me topin shënoi golin e 5-të në rrjetën e Filip Iliq.
Ky i fundit kapituloi edhe në minutën e 89-të, kur sërish Ibraimi doli të jetë i pandalshëm për mbrojtësit vendas, ndërsa duke asituar në shtyllën e parë për brazilianin Igor, ky i fundit gaboi rëndë, por që Hebaj reagoi mjaft mirë duke i servuar një top mjaft të mirë talentit Dashmir Elezi, i cili nuk fali dhe në ato momente shënoi për 6:1.
Ishet ky goli i katërt sezonal për Elezin, i cili kishte shënuar edhe ndaj Akademia Pandevit, Makedonija GJ.P dhe FC Shkupit. (infOSport.mk)