Futbolli në Maqedoni dominohet nga ekipet shqiptare. Këtë më së miri e tregojnë edhe të dhënat statistikore, duke filluar nga liga e parë, e deri në ligat e treta, njofton “infOSport.mk”.
Në mesin e më të mirëve, dominim total i Shkëndijës, që tashmë ndiqet edhe nga një skuadër tjetër shqiptare, FC Shkupi, duke mos harruar këtu në asnjë mënyrë edhe Struga Trim Lum, që figuron lartë në tabelë, vendi i katërt.
Dështimi i vetëm mund të thuhet se ndodh në Ligën e Dytë – Perëndim, aty ku edhe përkundër faktit se kemi 6 skuadra shqiptare, vendi i parë i takon Skopjes, që udhëhiqet nga ish kapiteni i Vardarit, Lupç Markovski – Kallc, ndërsa e ndjekin Veleshta dhe Gostivari, dy skuadra shqiptare që deri në fund do të luftojnë për një vend në Ligën e Parë.
Ndërkohë kemi një dominim total të skuadrave shqiptare në ligat e treta. Nga gjithsej 5 liga, në 4 prej tyre udhëheqin skuadrat shqiptare, kjo edhe për faktin se në ligën e tretë – Lindje, nuk garon asnjë skuadër shqiptare. Aty pas 12 xhirove të para, kryeson Bregallnica e Dellçevës, që shumë vite më parë luante edhe në Ligën e Parë.
Në Ligën e tretë – Jug, ku pjesa më e madhe e skuadrave janë maqedonase, kryeson Novo Crnilishte, nga ku prejardhjen ka edhe futbollisti i njohur shqiptarë i reprezentacionit të Maqedonisë, Ezgjan Alioski, që për momentin luan në Premierligën angleze me skuadrën e Lids Junajted.
Novo Crnilishte ka tubuar 37 pikë në 16 xhirot e para, duke lënë pas vetes skuadrën e Lokomotiva (G), që ka 35 pikë.
Në Ligën e tretë – Veri në garën për vendin e parë vërejmë një luftë midis dy ekipeve shqiptare, Besa – Vllazërimi dhe Fortunës nga Hasanbegu.
Aktualisht pas 13 xhirove, Besa-Vllazërimi ka tubuar 34 pikë, një më shumë se Fortuna, derisa në vendin e tretë ndodhet Maxhari Solidarnost, që dikur garonte edhe në Ligën e Parë.
Liga e tretë – Perëndim në tërësi dominohet nga skuadrat shqiptare, me Besën e Dobërdollit që udhëheq vallën me 28 pikë, 6 më shumë se Arsimi i Çegranit, ndërkohë në 3 pozitat e fundit, ku skuadrat do të luftojnë për mbijetesë, renditen skuadrat maqedonase, si Napredoku nga Kërçova, Ljuboteni nga Tetova dhe skuadra e Proleterit.
Skuadër shqiptare, kryeson edhe në ligën e tretë – Jug Perëndim, aty ku Voska Sport nga Ohri, që do të luftojë deri në fund të kampionatit me skuadrën e njohur rivale nga qyteti i bukur strugan, Karaormanin. Bëhet fjalë për një skuadër që viteve të 90-ta garonte në mesin e më të mirëve, ndërsa edhe këtë vit do ta ketë të vështirë për tu ngjitur të paktën një shkallë më lartë.
E themi këtë, pasi Voska Spoer në 14 javë kampionat ka tubuar 28 pikë, 6 më shumë se ndjekësi më i afërt, Karaormani. (infOSport.mk)