Sërish probleme shëndetësore për sulmuesin nigerian, Nvabueze

Sërish probleme shëndetësore për Kyrian Nvabueze, i cili për një moment u shtri në tokë në ndeshjen e sotme të Kupës së Shqipërisë, që Laçi i tij e zhvilloi kundër Partizanit, njofton “infOSport.mk”.

Në minutën e 12 të takimit, Kyrian Nuabueze është shtrirë në tokë pasi ka patur një marrje mendsh për pak sekonda. Teksa aksioni ishte në krahun tjetër, në portën e Laçit, të gjithë lojtarët kanë vrapuar për të shkuar te Nvabueze.

Gjithashtu edhe stafi mjekësor është futur për të dhënë ndihmën e parë, por fatmirësisht sulmuesi i Laçit është ngritur vetë në këmbë dhe ka vazhduar lojën.

Kjo nuk është hera e parë që po i ndodh një gjë të tillë sulmuesit me pasaportë amerikane. Nvabueze ishte shtrirë pa ndjenja edhe në ndeshjen e para dy viteve në futbollin tonë vendor në ndeshjen midis Pobedës dhe Renovës, kur mbronte ngjyrat e skuadrës nga Prilepi, te e cila skuadër kishte arritur nga rradhët e skuadrës sllovene të ND Gorica.

Pikërisht klubi slloven me 28 qershor të vitit 2018-të kishte nxjerrë një komunikatë për shtyp, përmes së cilës kishte njoftuar për ndërprerjen e kontratës me Kyrian Nvabuezen, sepse pas vizitave mjekësore, mjekët nuk kishin dhënë miratimin se ai mund të vazhdonte karrierën futbollistike me klubin slloven.

“Kyrian Nvabuezes nuk i është dhënë leje nga mjekët sllovenë për të vazhduar karrierën futbollistike me fanellën “bardheblu”. Përgjigjja e analizave mjekësore nuk i ka kënaqur mjekët, prandaj ND Gorica ka pranuar që ta ndërpresë bashkëpunimin me këtë futbollist. Falënderojmë përzemërsisht Kyrian Nvabuezen për kontributin e tij me skuadrën tonë dhe i urojmë fat, por mbi të gjitha shëndet të mirë gjatë jetës së tij”, shkruhej ndër të tjera në komunikatën e klubit slloven.

Mirëpo në këtë komunikatë askund nuk ishte cituar diagnoza apo të specifikohet problemi i vërtetë i Kyrian Nvabueze.

Megjithatë mediar sllovene nuk ishin ndalur me kaq.

“ëëë.siol.net” më 14 nëntor të vitit 2018-të kishte dalë me titull: “Një amerikan me probleme kardiake, që Gorica nuk e donte, pothuajse vdiq në fushë”.

“Një futbollist amerikan me origjinë nigeriane, që nuk ka mundur të marrë certifikatën mjekësore në Slloveni, për shkak të problemeve me zemrën, vazhdon të luajë futboll duke vijuar karrierën e tij në Maqedoni. Ka luajtur edhe si titullar me skuadrën që kryesonte kampionatin derisa në një moment është rrëzuar përtokë gjatë ndeshjes. Kyrian Nvabueze mbërriti te ND Gorica në fillim të vitit 2018 dhe pasi luajti për gjysmën e sezonit, ai iu nënshtrua analizave mjekësore rutinë para se të niste edicioni i ri”.

Rikujtojmë Nvabueze për 6 muaj ishte pjesë e Pobedës së Prilepit, për të cilën skuadër në 14 ndeshje realizoi 6 gola. Ai te skuadra nga Prilepi kishte qëndruar vetëm 6 muaj, për të vijuar më pas janarin e vitit 2019-të karrierën në Kosovë te skuadra e Dritës së Gjilanit, nga e cila verën e vitit 2019-të u transferua te skuadra e Laçit në Shqipëri.

Pikërisht te skuadra laçiane, Nvabueze po kalon momentet e tij më të bukura të karrierës, teksa në 52 ndeshje ka realizuar 38 gola. Sezonin aktual, Nvabueze në 18 ndeshje, ka realizuar 12 gola. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply