Armando Sadiku ka shkruar historinë, teksa është bërë shqiptari i parë që ka luajtur në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Amerikën e Jugut, ndryshe i njohur si “Copa Libertadores”.
Ish shoku i Enis Bardhit te Levante u aktivizua si zëvendësues në minutën e 69-të të sfidës mes Bolivar dhe uruguaianëve të Vanderers. Bolivianët triumfuan me rezultatin 5:0 duke përmbysur kështu humbjen 1:0 të sfidës së parë dhe duke u kualifikuar në për në raundin final të fazës paraeliminatore aty ku do të kenë përballë me shumë gjasa kolumbianët e Junior, përballje që do të vlejë një biletë për në fazën e grupeve të Copa Libertadores.
Aktivizimit të Sadikut si i pari shqiptar që luan në Copa Libertadores i kanë bërë jehonë edhe mediat argjentinase. Edhe pse luajti për pak minuta sulmuesi kuqezi iu afrua ndjeshëm golit të tij të parë me Bolivar në Copa Libertadores teksa në minutën e 76-të goditi shtyllën, ndërkohë që anësori kishte ngritur flamurin për një pozicion jashtë loje inekzistent.
Gati pesë minuta para mbylljes së ndeshjes Sadiku kishte një mundësi të mirë shënimi, por pranë portës e devijoi topin jashtë kuadratit. Në fund fitore më se e merituar e Bolivar, për të cilën skuadër shënuan Ramos (2), Miranda, Abrego, si dhe Macaluso, i cili realizoi në rrjetën e gabuar.