Real Madridi përfitoi 100 milion euro nga shitja e Kristiano Ronaldos te Juventusi. Në aspektin ekonomik, operacioni dukej shumë i dobishëm për Realin në atë kohë. Sidoqoftë, koha tregoi se nuk ishte aq fitimprurës.
Real Madrid ka shpenzuar më shumë se trefishin e kësaj shifre në përpjekje për të mbushur boshllëkun e lënë nga shënuesi më i mirë në historinë e klubit dhe nuk ka arritur ta mbulojë atë.
Në total, Perez ka harxhuar 304 milion euro në blerjen e futbollistëve të rinj, në mënyrë që të lehtësojë mungesën e Kristiano Ronaldos: Hazard (115 mln), Vinicius (45 mln), Rodrygo (45 mln), Mariano Díaz (22 mln), Joviç (60 mln) dhe Brahim Díaz (17 mln).
Sidoqoftë, problemi më i madh i Realit nuk kanë qenë paratë e humbura, por fakti se ata që mbërritën nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë as të gjithë bashkë shifrat e yllit portugez.
Në total, gjashtë përforcimet për sulmuesin madrilen në tre vitet e fundit kanë shënuar 35 gola. Vinicius (13), Rodrygo (8), Mariano Díaz (6), Hazard (4), Joviç (2) dhe Brahim Díaz (2).
Kristiano, nga ana e tij, nuk e ka ulur ritmin e golave të shnëuar edhe te Juventusi. Ylli portugez pothuajse trefishon numrin e golave të gjashtë pasuesve të tij në Madrid. Që kur nënshkroi për Juventusin, portugezi ka shënuar 95 gola në 122 ndeshje.
Këtë sezon ai tashmë ka 30 gola në 33 ndeshje, mesatarisht thuajse një gol për ndeshje. Në fushatën e debutimit të tij në Itali, 2018-19, ai shënoi 28 gola në 43 ndeshje, ndërsa sezonin e kaluar shënoi 37 gola në 46 beteja.
Ronaldo shënoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Kaljarit, edhe atë tre gola në 32 minuta, duke heshtur kritikat ndaj tij pasi Juventusi u eliminua nga Porto në 1/8-at e Ligës së Kampionëve.