Ka njerëz që besojnë se nuk ka asnjë shans që Erling Haaland të shkojë te Mançester Junajtedi për shkak të incidentit famëkeq, që përfshiu babain e yllit norvegjez dhe legjendën e “Djajve të Kuq”, Roj Kin.
Alf-Inge Haaland pati një përplasje të tmerrshme me Kin, falë asaj ndërhyrjeje të rrezikshme gjatë derbit të Mançesterit në vitin 2001.
Si rezultat, një nga mbështetësit e Lids Junajted, Ben, nuk i llogarit shanset e Junajtedit për ta marrë 20-vjeçarin në “Old Trafford”.
“Nuk ka asnjë mënyrë që ai të shkojë te Mançester Junajtedi” – tha Ben për talkSPORT.
“Familja e Haaland e urren Mançester Junajtedin. Nëse e mbani mend atë luftë të Roj Kin me babain e tij, pse do të shkonte atje”.
Edhe Endi Koll pretendoi se nuk është i sigurt nëse Erling Haaland dëshiron të luajë për “Djajtë e Kuq”.
Ben u kundërpërgjigj, duke pretenduar se Mançester Siti ka më shumë para sesa rivalët e tyre të qytetit për ta marrë yllin e ri të futbollit botëror.
Po ashtu, sugjeroi se edhe Real Madridi do të paguante më shumë se klubi nga “Old Trafford”.
Ai vazhdoi: “Mançester Siti ka marrë më shumë para sesa Mançester Junajtedi. Edhe Real Madridi do të paguante më shumë se Junajtedi. Kin i dha fund karrierës së babait të tij. Është një marrëzi absolute të shkojë atje. Haaland nuk do të shkojë kurrë atje, kur mund të transferohet te Mançester Siti, Real Madridi, Bajern Munihu ose kudo tjetër”.