E premtja ka sjellë dy ndeshjet e para në Superligën e Shqipërisë, njofton “infOSport.mk”. Ka vazhduar kriza e Vllaznisë së Shkodrës, skuadër kjo që tashmë 5 ndeshje me rradhë nuk njeh fitoren.
Skuadra e Mevlan Adilit dhe Demir Imerit është mundur në shtëpi 1:2 nga Bylisi, skuadër kjo që deri te fitorja arriti falë një goli të shënuar vetëm në minutën e 93-të nga nigeriani, Beji.
Ndryshe Vllaznia kishte kaluar e para në avantazh, falë golit të shënuar nga boshnjaku, Haris Dilaver, ndërsa një gol tjetër në këtë ndeshje për Bylisin, e kishte realizuar Renato Spahiu.
Kukësit nuk i ka kryer punë as goli i Agim Ibraimit, i cili vazhdon në këtë mënyrë të kryesojë listën e golashënuesve në Superligën shqiptare.
Goli i sotëm i Ibraimit përballë Apolonisë ishte i 11-ti sezonal, mirëpo ky gol nuk i mjaftoi skuadrës kuksiane për të shënuar fitore, kjo pasi mysafirët nga Fieri me anë të Mario Gjatas barazuan rezultatin në 1:1. (infOSport.mk)