Një epokë e artë e futbollit europian dhe botëror duket se ka marrë fund. Për herë të parë në 16 vitet e fundit as Lionel Messi e as Kristiano Ronaldo nuk do të luajnë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.
Për të mos gjetur asnjërin prej tyre në këtë fazë të kompeticionit më të rëndësishëm europian në nivel klubesh, duhet të rikthehemi pas në sezonin 2004/2005.
Në atë kohë portugezi ishte ende pjesë e Mançester Junajtedit, derisa Messi sapo kishte filluar karrierën e tij si profesionist.
Barcelona nuk ia doli dot mbrëmjen e djeshme të bënte mrekullinë në Paris, duke u mjaftuar vetëm me një barazim 1:1, ndërsa Juventusi edhe pse fitoi 3:2 me Porton në shtëpi, nuk arriti të kalonte në fazën tjetër.
Pas gjithë kësaj si duket, duhet ta pranojmë që epoka e Ronaldos dhe Messit është drejt fundit.