Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po bëhet gati për ndeshjet eliminatore të Botërorit “Qatar 2022”. Dardanët janë pjesë e grupit B, aty ku bëjnë pjesë edhe Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia. Djemtë e Challandes luajnë ndeshjen e parë në shtëpi kundër Suedisë (28 mars), teksa tre ditë më vonë udhëtojnë drejt Spanjës.
Sfida me skuadrën e Luis Enrique do të luhet në Sevilla. Një lajm i dalë në mediat iberike krijoi shqetësim të madh te Kosova. “Flamuri i Kosovës nuk do të jetë përkrah atij spanjoll në stadiumin andaluzian, ndërsa himni kombëtar i Kosovës do të prezantohet si muzika e dhuruar nga territori i Kosovës“, shkruante e përditshmja Marca.
Diçka e tillë lidhet me faktin që Spanja nuk e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës. Presidenti i FFK-së (Federata e Futbollit të Kosovës), Agim Ademi ka marrë gjatë ditës së sotme një telefonatë nga RFEF (Federata e Futbollit të Spanjës).
Këta të fundit kanë kërkuar ndjesë në lidhje me lajmin e publikuar, teksa i kanë konfirmuar Ademit se ndeshja Spanjë-Kosovë do të zhvillohet konform rregullores dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshjet zyrtare.
Gjithashtu, RFEF ka shprehur mikpritjen e tyre për përfaqësuesen e Kosovës dhe u tregua e hapur në bashkëpunim për çfarëdo nevoje që mund të ketë FFK-ja.
Ademi, i cili pati një komunikim edhe me zyrtarë të UEFA-s, shprehu respektin dhe besimin e tij ndaj Federatës së Futbollit të Spanjës, dhe shprehu bindjen se do të zhvillohen dy ndeshje shumë të mira si në Sevilja, po ashtu edhe në Kosovë (8 shtator). (abcnews.al)