Shkëndija hyn nga “pole position” në fazën e tretë dhe vendimtare të kampionatit elitar të vendit, pasi skuadra ka menaxhuar epërsi prej 7 pikëve pas dy fazave të para të edicionit të sivjetshëm në LPFMV.
Përkundër dy barazimeve të fundit pa gola me Rabotniçkin dhe Renovën, kuqezinjtë janë ekipi më i mirë i kampionatit në të gjitha segmentet dhe si bartës ‘legjitim’ të vendit të parë me të drejtë shihen edhe si favoritët kryesor për të fituar titullin e kampionit.
“Besoj fuqishëm se në fund do të jemi ne ata që bashkë me mbështetësit tanë do t’i gëzohemi titullit të kampionit, të katërtin në historinë e Shkëndijës. Pandemia ka lëkundur gjithë botën, nuk ishte e lehtë të menaxhohet kjo situatë dhe patjetër të jemi të kënaqur me ecurinë”, – shprehet mes tjerash Armend Alimi.
Me 47 pikë të tubuara, kuqezinjtë kanë fituar 13-të ndeshje që është më shumë se çdo ekip tjetër në kampionat, ata gjithashtu kanë sulmin më të mirë me 40 gola të shënuar dhe mbrojtjen më të mirë me vetëm 14-të gola të pranuar deri më tani.
Faza e tretë starton të dielën dhe sjell 11-të përballje në të cilat Shkëndija kërkon të konfirmohet ekipi më i mirë i vendit. Ata fazën e fundit e nisin me ndeshjen kundër Pelisterit të dielën, ndërsa do e mbyllin kundër rivalit kryesor për titull, FC Shkupit me datë 16 maj.