Vllaznia dhe Partizani tashmë 3 ndeshje me rradhë nuk fitojnë në Superligën shqiptare, aty ku lufta për titull tashmë është bërë shumë interesante, pasi në garë për të janë plotë 4 skuadra, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse “Demat e Kuq” ishin favoritë absolut përballë Skënderbeut, ata në fund pësuan disfatë minimale 1:0, duke humbur mundësinë që të marrin kryesimin e tabelës ndaj Vllaznisë së Shkodrës, që gjithashtu nuk po kalon momente aspak të mira në kampionatin shqiptarë.
Njëjtë sikurse Partizani, edhe Vllaznia e Mevlan Adilit dhe Demir Imerit nuk dinë për fitore në 3 ndeshjet e fundit, mirëpo pavarësisht kësaj serie të zezë, ata qëndrojnë në pozitën e parë me 41 pikë, po aq sa ka edhe Teuta në vendin e dytë. Skuadra durrsake ka një ndeshje më shumë, derisa Vllaznia ndeshjen e saj të javës së 23-të do ta zhvillojë sot përballë Kukësit të Agim Ibraimit dhe Besir Demirit. Kjo ndeshje starton në ora 16:00, ndërsa 3 orë më herët do të zhvillohet edhe përballja midis Laçit dhe Apolonisë së Fierit.
Një fitore eventuale e Laçit të Shpëtim Duros do të ngjiste ata në pozitën e parë, mirëpo gjithnjë duke shpresuar që Vllaznia të mos fitonte në ndeshjen me Kukësin, që llogaritet edhe si ndeshja derbi e kësaj jave.
Në të kundërtën fitorja e Vllaznisë në këtë ndeshje, do të mbante këtë skuadër në krye të renditjes, pavarësisht problemeve dhe krizës që po përjeton skuadra shkodrane.
Ndërkohë Tirana ka marrë edhe fitoren e tretë rradhazi, duke mundur këtë herë Kastriotin në transfertë me shifrat 2:1.
Kumanovari Taulant Seferi kaloi në epërsi skuadra nga kryeqendra shqiptare me golin e realizuar në minutën e 19-të nga penaltia, ndërkohë Erion Hoxhallari në minutën e 58-të dyfishoi epërsinë e “badheblulve”. Golin e vetëm për skuadrën vendase e realizoi Devid në minutën e 66-të. Pavarësisht kësaj fitore, Tirana mbetet shumë larg kreut të tabelës, aty ku po qëndron Teuta (vendi i dytë), që këtë xhiro barazoi 1:1 në transfertën kundër Bylisit. (infOSport.mk)