FC Shkupi që nga muaji tetor i vitit të kaluar ndeshjet si nikoqir po i zhvillon jashtë stadiumit të Çairit. Kjo si duket po e ndëshkon këtë skuadër, që në 5 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një fitore, edhe atë ndaj skuadrës së fundit në tabelë, Bellasicës, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshjen e fundit në stadiumin e Çairit, FC Shkupi e kishte zhvilluar me 3 tetor të vitit të kaluar, kur kishte mundur Borecin me shifrat 3:0. Që nga ajo ndeshje skuadra “bardhekaltër” ka zhvilluar 7 ndeshje si vendas, edhe atë në dy stadiume të ndryshme.
Fillimisht kjo skuadër ishte transferuar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, aty ku kishte regjistruar dy fitore të njëpasnjëshme. 1:0 ndaj Sileksit në kampionat dhe 5:0 ndaj Kit Go në kuadër të Kupës, që më pas të transferohet në stadiumin pranë FFM-së, që nuk doli të jetë me shumë fat për këtë skuadër.
5 ndeshje pranë kompleksit sportiv të FFM-së dhe vetëm 1 fitore, 2 barazime dhe 2 disfata. Fitoren e vetme FC Shkupi e regjistroi përballë Bellasicës, barazoi ndaj Vardarit dhe Akademia Pandevit, ndërsa u mund nga Struga Trim Lum dhe Rabotniçki. (infOSport.mk)