248 minuta lojë, mirëpo asnjë gol i shënuar nga ana e sulmuesit Rexhinaldo, i cili te FC Shkupi erdhi me shumë bujë nga kampionati kazak, më saktë nga skuadra e Kaysar. Edhe pse CV e tij na bënë të kuptojmë që bëhet fjalë për një sulmues të spikatur, 3 ndeshjet e para me fanellën e skuadrës nga Çairi, ende nuk na kanë bindur.
Megjithatë, siç e thotë edhe vetë sulmuesi nga Mozambiku, ndeshja e sotme kundër Rabotniçkit pritet të sjellë edhe golin e tij të parë në Ligën e Parë të Maqedonisë.
“Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje e vështirë, ashtu sikurse gjithë përballjet tjerat. Ne e respektojmë kundërshtarin, por shpresoj se do të fitojmë tre pikët që të vazhdojmë rrugën tonë drejt ambicieve. Personalisht, ndihem më mirë ndeshje pas ndeshje. Isha jashtë konkurrencës për dy muaj, por më e mira nga unë pritet të vjen. Unë jetoj për të shënuar gola dhe kjo do të ndodhë. Shpresoj të shënoj golin tim të parë në këtë ndeshje, por gjëja më e rëndësishme është që ekipi të fitojë”, ka thënë Rexhinaldo.
Skuadra e FC Shkupit është e kompletuar, pa asnjë mungesë, me përjashtim të Fatih Ismailit, i cili ende mbetet i lënduar, derisa pjesa tjetër e skuadrës është gati për ti plotësuar kërkesat e trajnerit Hasan Ozer.
Edhe këtë ndeshje, për shkak punimeve në stadiumin e Çairit, FC Shkupi në cilësinë e nikoqirit do ta zhvillojë në kompleksin sportiv pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Ndeshja FC Shkupi – Rabotniçki starton në ora 14:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri ynë më i njohur, Aleksandar Stavrev.