Struga Trim Lum të dielën në Shkup në arenën “Todor Proeski” do të përballet me Vardarin, ndaj së cilës skuadër njëherit do të kërkojë edhe fitoren e parë në ndeshjet mes tyre, njofton “infOSport.mk”.
Në prag të këtij takimi, të vlefshëm për javën e 22-të, për faqen zyrtare të klubit nga Struga, ka folur sulmuesi Dejan Cvetanoski, i cili thotë se gjithçka në këtë ndeshje do të varet nga vetë ata.
“Na pret një ndeshje e vështirë në Shkup edhe pse ekipi i Vardarit nuk është i njëjti nga sezoni vjeshtorë, por prap se prap nuk janë ekip i lehtë dhe naiv. Mendoj se gjithçka varet nga ne. Nëse kemi qasjen e duhur dhe hyjmë maksimalisht të përgatitur në fushë mendoj se do ta fitojmë ndeshjen” – është shprehur Dejan Cvetanoski, i cili shpreson që rrethin e dytë të garave ta mbyllin me fitore.
“Fitorja është shumë e rëndësishme për ne, pas asaj disfate zhgënjyese ndaj Pelisterit, ndaj rrethin e dytë të garave shpresojmë ta mbyllim me fitore” – përfundoi Cvetanoski.
Struga Trim Lum aktualisht ndodhet në pozitën e katërt me 32 pikë, ashtu që në rrethin e tretë që do të zhvillohet sipas sistemit Berger, do të zhvillojë 6 ndeshje si vendas dhe 5 si mysafir. Kjo bënë që gjasat e tyre për një vend në garat europiane të shtohen edhe më shumë, duke pasur parasysh se Struga Trim Lum për momentin rezulton skuadra më e suksesshme vendase me 22 pikë të fituara në 11 ndeshje. (infOSport.mk)