Zaharievski flet për fitoren ndaj Bellasicës dhe ndeshjen me Pelisterin

Struga Trim Lum e ka nisur mbarë stinorin pranveror, teksa në dy xhirot e para grumbulloi 4 pikë, duke shpresuar ende për atë pozitë të tretë që tashmë i ik vetëm 3 pikë, njofton “infOSport.mk”. Pas barazimit me Makedonija GJ.P në Strugë, të besuarit e trajnerit Srgjan Zaharievski të dielën mundën Bellasicën në Strumicë, duke iu afruar edhe më shumë ëndërrës të quajtur, Europë.

Për faqen zyrtare të klubit nga Struga, lidhur me fitoren e fundit ndaj Bellasicës në Strumicë, ka folur trajneri Srgjan Zaharievski, i cili thotë se skuadra e tij me plotë meritë arriti deri tek 3 pikëshi.

“Një ndeshje shumë e rëndë, ku edhe terreni ishte kundërshtarë i dy ekipeve, për të dhënë më të mirën nga vetja. Megjithatë mendoj se për nuanca ishim më të mirë se kundërshtari dhe në fund me plotë meritë arritëm deri tek fitorja. Asnjëherë nuk kalkulojmë, nuk bëjmë llogari para kohe, thjeshtë dëshirojmë të luajmë futboll dhe të avansojmë në lojën tonë” – është shprehur Srgjan Zaharievski.

Ky i fundit ka folur edhe për ndeshjen e nesërme që Struga Trim Lum do ta zhvillojë kundër Pelisterit si vendas. Sipas Zaharievskit këtë ndeshje do ta vendosin nuanca, duke parë edhe ecurinë pozitive të skuadrës nga Manastiri.

“Na pret një ndeshje e vështirë, në të cilën do të vendosin nuanca, megjithatë shpresoj që pikët të mbeten në Strugë. Pelisteri vjen pas një serie të mirë, dhe me përforcimet e reja, ata janë sfidues të vërtetë për një ndeshje të mirë” – ka përfunduar Zaharievski.

Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Pelisterit në program është nesër (e mërkurë) me fillim në ora 14:00 në stadiumin e qytetit të Strugës. (infOSport.mk)

Leave a Reply