Mesfushori shqiptar me origjinë nga Struga e Maqedonisë së Veriut, Pajtim Kasami, do të jetë kapiten i skuadrës së Baselit për pjesën e mbetur të këtij edicioni, kanë njoftuar të hënën mediumet zvicerane.
Vendimi për emërimin e Kasamit kapiten të ekipit vjen pak kohë pasi klubi zviceran suspendoi kapitenin Valentin Stocker, të cilit pritet edhe t’i shkëputet kontrata.
Në fakt, suspendimi i Stockerit erdhi para ndeshjes kampionale kundër Sent Gallenit, ku trajneri Kiriako Sforca njoftoi pjesën tjetër të lojtarëve.
Mungesa e Stockerit në këtë ndeshje bëri që shiriti i kapitenit ti besohet pikërisht struganit, Pajtim Kasami.
Ky i fundit ka besimin e trajnerit Sforca për ta mbajtur këtë përgjegjësi të paktën deri në fund të sezonit.
Vendimi për suspendimin e Stockerit ka ardhur për shkak të mospajtimeve të tij me trajnerin Sforca pas rezultateve të dobëta kohët e fundit.
Mediumet zvicerane shkruajnë se Stocker, që është njëri prej lojtarëve më të pëlqyer nga tifozët e klubit, është suspenduar për një kohë të pacaktuar.
“Kasami ka qenë kapiten kundër St. Gallenit dhe do të jetë kapiten edhe në ndeshjen tjetër për të vazhduar deri në fund të sezonit”, ka insistuar trajneri Sforca kur është pyetur se kush do të marrë përgjegjësinë e kapitenit pas suspendimit të Stockerit.
Sipas Sforcas, mesfushori Kasami është personi i duhur për ta bartur shiritin e kapitenit, pasi ka personalitetin e duhur për të qenë lider i ekipit në fushë.
“Kam vendosur për Kasamin, sepse ka personalitet dhe është një lojtar shumë i vlefshëm për ekipin tonë”, – ka shtuar Sforca.
Kasami para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Baselit si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me skuadrën e Sionit në fund të sezonit të shkuar.
Ai me fanellën e Baselit ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë dy asistime në 20 paraqitje në të gjitha garat, kurse ka kontratë deri në vitin e ardhshëm.
Kasami edhe kur ishte pjesë e Sionit në disa raste ka bartur shiritin e kapitenit, kështu që përgjegjësia për të qenë lider i Baselit në fushë nuk është ndonjë risi për struganin 28-vjeçar.