Krisje te Vllaznia mes futbollistëve. Goli i parë i futbollistit të Tiranës, Idriz Batha ka futur në sherr portierin Zogoviç dhe mesfushorin brazilian, Da Silva.
“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime të sigurta në skuadër se në momentin e pësimit të golit, Da Silva i ka kërkuar llogari malazezit për faktin se ai qëndroi në vend pa lëvizur.
Kjo nuk i ka pëlqyer aspak portierit, i cili ka pritur pushimin e ndeshjes dhe ka kërkuar të sqarohet me Da Silvën në dhomat e zhveshjes.
Lojtarët janë ofenduar me njëri-tjetrin dhe për pak konflikti ka degjeneruar në përplasje fizike, por që mbeti vetëm duart, pasi pjesëtarët e stafit dhe futbollistët e tjerë evituan zënkën.
Të dy lojtarët i kanë kërkuar hesap njëri-tjetrit, për më tepër çarja e murit në atë mënyrë la një shije të keqe, teksa braziliani u irritua më tepër se të gjithë me portierin.
Një lëvizje të çuditshme në këtë moment bëri edhe Adili, i cili la murin mbrojtës dhe u vendos në shtyllën e dytë. Kjo, siç duket, ka shpërqendruar edhe gardianin. Goli që shënoi Batha hyri në 1 metër vend mes dy lojtarëve të Vllaznisë.