Derbi pa sharm, Shkëndija lufton për titull, Vardari për mbijetesë!

Derbi i javës së 20-të midis Shkëndijës dhe Vardarit është pa shumë sharm. Kjo për shkak se këto dy skuadra pas një periudhe të gjatë luftonin vazhdimisht për titullin e kampionit, mirëpo këtë edicion gjërat kanë ndryshuar, me Shkëndijën që kryeson renditjen dhe që shihet sërish si një ndër skuadrat kryesore për të rrëmbyer titullin e kampionit, shkruan “infOSport.mk”.

Stinorin pranveror Shkëndija e nisi me fitore 2:1 në fushë të Sileksit, ndërsa një gjë të tillë “kuqezinjtë” dëshirojnë ta vazhdojnë edhe nesër kundër Vardarit në Tetovë.

Fatkeqësisht ndeshjet vazhdojnë të zhvillohen pa praninë e publikut shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe kuqezinjtë tashmë gati një vit nuk kanë mundësi të performojnë përpara tifozerisë tetovare dhe armatës së tifozëve, “Ballistët”.

Duelet me rivalin e të dielës gjithmonë sillnin harmoni shtesë mes klubit e tifozëve dhe futbollistët duken të determinuar për sukses si dedikim spektatorëve për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin klubit edhe pse në distancë.

Shkëndija nuk njeh humbje nga Vardari tashmë 13-të ndeshje të njëpasnjëshme dhe të dielën ekipi projekton suksesin e radhës. Herën e fundit që dy ekipet përballeshin mes veti në gjysmësezonin vjeshtor, Shkëndija fitonte Vardarin bindshëm 5:1 në Shkup.

Tani kërkohet fitore e re e vlefshme në garën për titullin për Shkëndijën, ndërkohë që realiteti i Vardarit tashmë është lufta për mbijetesë.

Ndeshja në fjalë luhet të dielën me fillim në ora 14:00.

Leave a Reply