Visar Musliu me MOL Fehervarin e tij kanë arritur të eliminojnë ekipin e Myrto Uzunit, Ferencvaroshin, njofton “infOSport.mk”.
Këto dy skuadra u takuan mbrëmë vonë në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Hungarisë, ndërsa edhe pse Ferencvaroshi u fut në këtë ndeshje si favorit, në fund kjo skuadër u eliminua nga garat e Kupës.
Kësisoj skuadra e reprezentuesit shqiptarë, Myrto Uzunit gjithë vëmendjen do të duhet ta përqëndrojë në kampionat, aty ku edhe ka fjalën kryesore pas 22 xhirove të kaluara.
Ndryshe fillimi i takimit nuk paralajmëroi një fund të hidhur për Ferencvaroshin, pasi një autogol i Stopira të MOL Fehervar, i dha avantazhin skuadrës kampione të Hungarisë vetëm pas 12 minutave lojë.
Mirëpo nuk vonoi shumë dhe në të 17-tën Nemanja Nikolics nga pika e bardhë barazoi shifrat në 1:1, ndërkohë Stopira në minutën e 40-të shënoi në rrjetën e duhur, kësaj rradhe duke i dhënë avantazhin për herë të parë MOL Fehervarit në këtë ndeshje. Këtë epërsi mysafirët arritën që ta administrojnë deri në fund, duke arritur kështu të eliminojnë rivalët e mëdhenj dhe ndoshta pretendentët kryesor për të fituar edhe trofeun e Kupës për këtë vit, transmeton “infOSport.mk”.
Një vend për në çerekfinale të Kupës së Hungarisë, siguroi edhe MTK Budapesti i Bojan Miovskit, ish futbollistit të Renovës. Edhe pse ky i fundit mbeti në bankinë gjatë gjithë takimit, MTK Budapest në asnjë moment nuk e diskutoi fitoren, duke arritur në fund një fitore komode 4:1 ndaj skuadrës së Tallya, që garon në ligën e tretë hungareze. (infOSport.mk)