Ramadani: Fitorja e sotme meritë e futbollistëve

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani brenda një periudhë të shkurtër i’a ka dalë 3 herë të mund Dritën e Ardian Nuhiut, ndërsa me fitoren e sotme 2:0 në kampionat, skuadra nga kryeqendra kosovare është rikthyer fuqishëm në garë për titullin e kampionit.

Pas ndeshjes, Ramadani përgëzoi futbollistët për fitoren, duke pohuar se ata ishin më të merituarit.

“Është merita e futbollistëve për fitoren ndaj Dritës, ata dhanë maksimumin. I uroj futbollistët mi për fitoren dhe shpirtin luftarak. Ne u shpërblyem me tre pikë që ishte edhe objektivi i jonë për këtë ndeshje. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe nuk duhet të përballemi me eufori”, – u shpreh Ramadani për “ArtSport1”.

Për Prishtinën ishte kjo fitorja e 12-të sezonale në 21 javë kampionat, me ç’rast skuadra e Ramadanit tashmë numëron 41 pikë, 4 më pak se lideri Ballkani dhe 3 më pak se Drita e Ardian Nuhiut.

 

Leave a Reply