Një gjest fisnik nga ana e futbollistit me origjinë nga Tetova, Nedim Bajrami, i cili ka vendosur të përfaqësojë kombëtaren e Shqipërisë në të ardhmen. Mesfushori fantazist ka pranuar ftesën e trajnerit Edi Reja dhe insistimin për ta veshur kuqezi.
“Panorama Sport” ka mësuar ekskluzivisht edhe zgjedhjen që ka bërë futbollisti me origjinë nga Tetova dhe mënyrën e ndarjes që ka bërë me përfaqësuesen helvete, pjesë e së cilës ka qenë me U-21.
Burime të besueshme në FSHF kanë bërë me dije për gazetën edhe ndarjen që lojtari ka bërë me helvetët. Bajrami ka zhvilluar një videokonferencë me trajnerin e kombëtares së Zvicrës, Petkoviç, si dhe drejtues të federatës helvete për t’u bërë atyre me dije vendimin për të zgjedhur Shqipërinë.
Bajrami ka kërkuar prej tyre respektimin e vullnetit të tij për të luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë si dhe ndarjen prej helvetëve me mirëkuptim dhe pa krijuar polemika.
Të njëjtat burime në federatë bëjnë me dije se ky ka qenë dëshira kryesore e talentit 21-vjeçar, pra që të mos largohet nga Zvicra me polemika.
Bajrami ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Zvicrës që nga U-15, e deri te U21, me të cilën ka regjistruar 12 ndeshje dhe një gol të shënuar.