Vendosmëria e trajnerit Edi Reja ka qenë një nga faktorët që e ka bindur djaloshin me origjinë nga Tetova, Nedim Bajrami, për të pranuar që të veshë fanellën e kombëtares së Shqipërisë.
Absolutisht, bindjet dhe dëshira e tij personale si dhe e familjarëve të tij janë shtysë për këtë zgjedhje, por biseda dhe kontakti me trajnerin italian dhe drejtues të lartë të FSHF-së kanë qenë intensive dhe shumë të frytshme.
Kësisoj, pas bisedës dhe vendimit të komunikuar për trajnerin Petkoviç si dhe drejtuesit e federatës helvete, Bajrami ka njoftuar edhe trajnerin Reja për t’i konfirmuar dëshirën që të luajë me Shqipërinë si dhe duke dhënë dakordësinë e tij që të nisin të gjitha procedurat e ndryshimit të përfaqësueses.
Në vijim, federata shqiptare do të duhet të plotësojë të gjithë dokumentet për kërkesë në FIFA që 21- vjeçari të jetë gati për Shqipërinë për ndeshjet eliminatore të marsit.
Kësisoj Edi Reja në grumbullimin e muajit të ardhshëm të kombëtares “kuqezi”, për herë të parë me shumë gjasa në ekip do të ketë 3 futbollistë me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Kujtojmë pjesë e “kuqezinjëve” janë edhe dy futbollistët kumanovar, Taulant Seferi dhe Lindon Selahi.