Struga Trim Lum dhe Makedonija GJ.P në një nga ndeshjet më interesante të javës së 19-të në elitën e futbollit vendor, ndanë pikët duke luajtur baraz 1:1, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja në fjalë doli të jetë shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, ndërsa duke u nisur nga ajo që aktorët treguan në fushën e blertë, trajneri i Struga Trim Lum, Srgjan Zaharievski, thotë se barazimi ishte epilogu më real i këtij takimi.
“Një ndeshje e rëndë dhe e fortë ku pikët ishin imperativ për të dyja skuadrat. Nuk ishte ndeshje e mirë për sy, mirëpo megjithatë zhvilluam një ndeshje me shumë dinamikë, luftë, kartonë, ashtu që mendoj se në një ndeshje të tillë të fortë, ndarja e pikëve ishte epilogu më real” – u shpreh trajneri i Struga Trim Lum, Srgjan Zaharievski pas përfundimit të takimit.
Ndryshe Struga Trim Lum javën që vjen do të ketë një transfertë të vështitë në Strumicë përballë Bellasicës, që me fitoren e sotme në Tetovë ndaj Renovës, sikur deshi të bëjë me dije se nuk është dorëzuar në garën për mbijetesë, edhe përkundër faktit se vazhdon të mbetet në pozitën e fundit. (infOSport.mk)