Arijan Ademi po luan futbollin e tij më të mirë. Për kohë të gjatë ai ishte i shkëlqyeshëm, ndërsa në periudhën e fundit është “motor” i skuadrës. Ai shtyn skuadrën e Dinamos së Zagrebit para, lufton, futet në shans e madje edhe shënon gola. Kështu e ka cilësuar shqiptarin e përfaqësueses së Maqedonisë, gazeta e madhe kroate, “Veçernji List”.
Kalimi nga pozita e mesfushorit defanziv në atë të mesfushorit ofanziv i është përshtatur Ademit.
Kapiteni i Dinamos gjithnjë është shquar për shpirtin luftarak. Por me ndryshim të pozitës në fushë është bërë edhe shënjestër e kundërshtarëve.
Në ndeshjen e fundit ndaj Osijekut pranoi një goditje.
“Më parë unë rrihja, tani po më rrahin”, ka thënë Ademi.
Dinamo e Zagrebit të enjten luan ndaj Krasnodarit rus në kuadër të Liga Europa.
“Kam parë shumë ndeshje të Krasnodarit në Ligën e Kampionëve dhe mund të them se bëhet fjalë për ekip të shkëlqyeshëm. Kanë shumë kualitet individual, është skuadër më e mirë se CSKA Moska. Unë nuk po mendoj për rezultat, po mendoj të avancojmë tutje. Duam të avancojmë në fazën tjetër”, ka theksuar Ademi, që në verë me Maqedoninë e Veriut do të paraqitet në Evropian.
Sipas Ademit, kampionati kroat tashmë ofron shumë ndeshje të nivelit evropian. Ademi e vlerëson edicionin aktual si më të mirin e kampionatit kroat në 15 vitet e fundit.