Interi ka shënuar fitore 3:1 në derbi ndeshjen ndaj Lacios, duke marrë kryesimin në Serie A, njofton “infOSport.mk”. Ekipi i Antonio Kontes pas një kohe të gjatë zbriti nga piedestali Milanin, skuadër kjo që mbrëmë pësoi një disfatë të papritur nga Specia.
Një penalti solli zhbllokimin e takimit në mesin e pjesës së parë. Romelu Lukaku nuk gaboi dhe vendasit kaluan në epërsi pas 22 minutave lojë.
Sulmuesi belg realizoi një tjetër gol në minutat e fundit të fraksionit të parë të sfidës, duke u ngjitur në shifrën e 300 golave zyrtarë në karrierë.
Një arritje super për 27-vjeçarin, i cili mbërrin Kristiano Ronaldon në krye të golashënuesve të Serie A, që të dy nga 16 gola.
Lacio e nisi mirë pjesën e dytë dhe gjeti golin në minutën e 61-të. Argjentinasi Escalante i ardhur nga stoli, devijoi drejt rrjetës një goditje dënimi të Milinkoviç-Saviç.
Shpresat e Lacios për të mos dalë pa pikë morën fund tre minuta më vonë, kur i pandalshmi Lukaku dhuroi një asist për Lautaro Martinez, i cili shtyu topin drejt rrjetës së Pepe Reina, duke bërë që në ato momente Interi të avansonte me shifrat 3:1.
Simone Inzaghi hodhi në fushë Vedat Muriqin pesë minuta më vonë, por djemtë e Kontes ia dolën të menaxhonin shumë mirë minutat e mbetura të ndeshjes, duke u rikthyer pas një kohe të gjatë në krye të Serie A me 50 pikë, një më shumë se Milani i vendit të dytë. (infOSport.mk)