Rexhinaldo gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht është prezantuar si futbollisti më i ri i FC Shkupit, te e cila skuadër e shohin si zëvendësues të golashënuesit më të mirë të stinorit vjeshtorë, Dembo Darboe, i cili u largua nga Çairi për të vijuar karrierën në Bjellorusi te skuadra e Shakhter Soligorsk.
Ai gjatë prezantimit tha se ndjehet i lumtur që do veshë fanellën e FC Shkupit, skuadër kjo që sipas tij posedon futbollistë shumë kualitativ.
“Jam shumë i lumtur që do të vesh fanellën e FC Shkupit, nuk kam shumë njohuri për kampionatin e Maqedonisë së Veriut, por ajo çka di është nga kisha kur kam luajtur në Shqipëri që kam pasur disa shokë atje. Kam ardhur këtu për ta dëshmuar veten dhe për ta ndihmuar klubin, ku kam gjetur njerëz shumë të mirë, por mbi të gjitha edhe futbollistë kualitativ” – tha Rexhinaldo.
Sulmuesi 30-vjeçar nga Mozambiku tani më i është bashkuar punës me ekipin e tij të ri dhe ka filluar ambientimin nën urdhrat e trajnerit Hasan Ozer, ndërsa kontrata e tij është nënshkruar për bashkëpunim një vjeçar.