Skuadra e Prishtinës sërish ka dalë fituese përballë Dritës së Gjilanit. Pasi “bardhekaltërit” nga kryeqendra kosovare kishin mundur ekipin gjilanas për trofeun e SuperKupës së Kosovës, ata sot i eliminuan ata edhe në fazën e 1/8 së finales së Kupës, duke dëshmuar se për momentin janë skuadër më e përgatitur.
Prishtina e Zekirja Ramadanit shënoi fitore minimale 1:0, edhe atë falë golit të Lorik Boshnjakut në vazhdimet dy herë nga 15 minuta, pasi ndeshja brenda 90 minutave u mbyll me rrjeta të paprekura.
Sigurisht i kënaqur me këtë fitore kishte mbetur edhe trajneri Zekirja Ramadani, i cili tha se skuadra e tij tregoi karakter në këtë ndeshje dhe se nuk është një punë e vogël për të mundur Dritën dy herë brenda dy javëve.
“Me të vërtetë fitore e madhe dhe e mundimshme. Eleminuam një nga favoritët kryesor. Respekt për këtë skuadër. Ka super ekip. Kishim inciativën. Patem dy raste nuk arritëm të shënojmë, pastaj erdhi goli i kapitenit që na solli fitoren. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, treguan karakter. Nuk është punë e vogël ta mposhtësh Dritën dy herë 1për dy javë”, – deklaroi Zekirja Ramadani pas përfundimit të ndeshjes. (infOSport.mk)