Sulmuesi argjentinas, Serhio Aguero pritet të jetë përforcimi i parë i Barcelonës në afatin kalimtar të verës. Mediat spanjolle së fundmi kanë raportuar se Aguero në parim ka arritur marrëveshje me Barcelonën dhe ekipit spanjoll do t’i bashkohet si lojtar i lirë pas përfundimit të këtij edicioni kur edhe i skadon kontrata me Mançester Sitin.
Me transferimin e tij te Barcelona, Aguero do të kthehet në Spanjë pas një dekade të kaluar te Mançester Siti, me të cilin ekip ka fituar katër tituj kampion në Premierligë.
Sulmuesi 32-vjeçar këtë edicion ka pasur telashe me lëndime dhe deri më tash ka regjistruar 9 paraqitje ku ka shënuar dy gola në Ligën e Kampionëve.
Tek ekipi anglez u transferua në verën e vitit 2011 nga Atletiko Madridi për 45 milionë euro dëmshpërblim.