Futsal Club Arben Bajrami ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë, teksa mbrëmë në palestrën “Enver Idrizi” në Çair mundi një ndër konkurrentët e kësaj gare, KMF Proekt Ciko, njofton “infOSport.mk”.
FC Arben Bajrami ishte dukshëm kundërshtarë më i mirë, ndërsa këtë e dëshmuan edhe në parket, duke triumfuar me shifrat 3:1.
Berat Ramadani edhe njëherë tjetër bëri një super paraqitje, duke shënuar dy gola, ndërsa një gol tjetër shënoi Kadir Jahja. Golin e vetëm për skuadrën nga Valandova e realizoi Darko Rangotov.
Një tjetër duel shumë interesant u zhvillua në Autokomandë, aty ku Futsal Shkup me një përmbysje spektakolare mundi Zhelezarecin me shifrat 4:1.
Një biletë për në ndeshjet çerekfinale ka siguruar edhe Velesi, që në transfertë mundi Kratovën me rezultatin 7:5.
Ndërkohë dita e sotme është rezervuar edhe për 5 ndeshjet tjera të 1/8 së finales, ku e gjithë vëmendja e opinionit sportiv shqiptarë do të përqëndrohet në ndeshjen midis Juventus Seravës dhe Shkëndijës, ndeshje kjo që starton në ora 19:00 në palestrën “Enver Idrizi” në Çair, si dhe në Kavadar, aty ku Kegi Mobi do të mirëpret ekipin e Futsal Karadakut. (infOSport.mk)