Shtëpia e Futbollit Europian dhe atij Botëror qëndrojnë pas Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe presidentit të saj, Muamed Sejdini. FFM, sot ka publikuar letrën zyrtare që kanë pranuar nga dy sekretarët e përgjithshëm të UEFA-së dhe FIFA-së, të cilët japin mbështetje për “Shtëpinë e Futbollit” tonë vendor në lidhje me mosmarrëveshjet me Agjencinë për Rini dhe Sport, me këta të fundit që pretendonin se FFM po punon jashtë ligjeve për sport. Në letrën e dërguar nga dy institucionet më të larta të futbollit europian dhe botëror, rekomandohet se Statuti i FFM-së nuk duhet të ndryshohet para Kuvendit Zgjedhor dhe i njejti mund të shqyrtohet vetëm pasi të kryhen zgjedhjet brenda federatës tonë. Në letrën zyrtare thuhet se FFM punon me Statut që është përputhje me rregullat të përcaktuara nga UEFA dhe FIFA, por edhe të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Ata besojnë se FFM do ta organizojë procesin zgjedhor në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga jashtë, duke dhënë mbështetje të fuqishme në këtë drejtim.
Kujtojmë që deri në fund të këtij viti, duhet të mbahet Kuvendi Zgjedhor për president të ri, ndërsa deri më tani nuk ka shpallur kandidaturën asnjë pretendent për këtë post.