FC Shkupi vazhdon me avazin e vjetër duke sjellë futbollistë nga jashtë

Edhe pse FC Shkupi është një ndër skuadrat më të vjetra në vendin tonë, e ku tashmë dekada me rradhë ekziston edhe shkolla e futbollit pranë kësaj skuadre, drejtuesit e skuadrës nga Çairi vazhdojnë të angazhojnë futbollistë nga jashtë, duke anashkaluar në këtë mënyrë futbollistët e vetë prodhuar, shkruan “infOSport.mk”.

Gjatë ditës së sotme drejtuesit e skuadrës së FC Shkupit larg kryeqendrës sonë, në Antalia të Turqisë, prezantuan dy të rinj senegalez, me të cilët firmosën kontrata dy vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për dy vite të tjera.

Fjala është për sulmuesin e krahut të djathtë, Albert Bougazelli – Bebeto,  dhe mesfushorin difensiv Faustin Senghor.

Ashtu sikurse gjatë punës me ekipin në kampin stërvitor në Antalia, por edhe në ndeshjet kontrolluese, që të dy futbollistët kanë lënë përshtypje shumë të mira te stafi i trajnerëve, me ç’rast kryesia e klubit nga Çairi, ju ka ofruar atyre kontrata përmes të cilave ato do tentojnë të ndihmojnë këtë skuadër në arritjen e objektivave gjatë stinorit pranveror në elitën e futbollit vendor.
Sulmuesi i krahut të djathtë, 24-vjeçari Albert Bougazelli në vitin 2019 kishte dy paraqitje me kombëtaren e Senegalit, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur kryesisht në kampionatin më të fortë të shtetit të tij, me ekipet Génération Foot, ASEC Ndiambour, AS Dakar Sacré Coeurdhe Cneps Excellence.

Ndërkohë 27-vjeçari Faustin Senghor, gjithashtu karrierën e tij e ka kaluar më shumë në kampionatin senegalez me ekipin Casa Sports, por që në sezonin 2019 luajti në kampionatin më të fortë boshnjak me ekipin e Çelikut nga Zenica. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply