Ilir Daja ka nevojë për futbollistë të ri në repartin mbrojtës, që e sheh shumë problematik për një sezon ku skuadra e tij pretendon titullin e kampionit.
Një gjë të tillë Daja kishte bërë të ditur në prononcimin e tij para sfidës me Teutën, ku kishte thënë se po pret lojtarë që të dublojë repartet, duke lënë të kuptohet se minimalisht do të ketë dy afrime, një qendërmbrojtës dhe një mbrojtës i majtë. Mbetet të shihet se çfarë lojtarë do të jenë në gjendje për të sjellë drejtuesit e “Demave të Kuq”, kur dihet se merkatoja e janarit është më problematike për të gjetur futbollistë të lirë dhe që do merrnin hapin për të ndryshuar mjedis.
Nëse vërtetë do të vinin këto dy afrime, ato me siguri do të ishin nga tregu jashtë Shqipërisë, përfshirë këtu atë të Maqedonisë, por edhe atë kroat.