Kombëtarja shqiptare në futsal e drejtuar nga Erind Resuli nuk ia doli të merrte tre pikët e para në ndeshjen kundër Kroacisë, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Europian 2022, transmeton “infOSport.mk”.
Në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në tokën kroate, “kuqezinjtë” u mundën me rezultatin 4:1.
Ndeshja nisi mirë për “kuqezinjtë”, të cilët treguan grintë dhe dëshirë për rezultat pozitiv, duke qenë edhe të parët që zhbllokuan rezultatin e lojës, në minutën e 3-të me anë të Halim Selmanajt, futbollistit kosovar, i cili mbrojti ngjyrat e skuadrës sonë kampione të Futsal Shkupit në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër MFC Kherson.
Fundi i pjesës së parë doli të jetë i kobshëm për ekipin e Resulit, pas në vetëm dy minuta pranuan dy gola, duke mbyllur pjesën e parë në disavantazh. Ishte Marinoviç, ai i cili në minutën e 19-të barazoi shifrat, derisa Perishiç në minutën e fundit të pjesës së parë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e “kuqezinjëve”, duke i mundësuar ekipit kombëtar të Kroacisë që në pushim të shkojë me epërsi prej një goli.
Fraksioni i dytë i lojës nisi vrullshëm me “kuqezinjtë” që kërkojnë me insistim golin e barazimit dhe me kroatët të cilët kërkojnë golin e tretë, por portieri Da Silva pret disa herë gjuajtjet drejt portës.
Në minutën e 30-të, Marinoviç shënoi golin e tretë për kroatët dhe të dytin personal, ndërsa në të 34-tën, Matosheviç shënon golin e katërt dhe vulos rezultatin e ndeshjes, transmeton “infOSport.mk”.
Me rezultatin 4-1 mbyllet ndeshja e parë e kuqezinjve në Grupin 1 të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2022 në Futsall, ndërsa ditën e diel Shqipëria do të luajnë në shtëpi kundër Ukrainës. Kujtojmë pjesëe kombëtares së Shqipërisë është edhe shkupjani, Eljesa Neziri, i cili pati disa minuta në disponim edhe në takimin e sotëm të zhvilluar në qytetin e Varazhdinit. (infOSport.mk)