Ferhan Hasani gjatë ditës së djeshme edhe zyrtarisht u prezantua te Partizani i Tiranës, duke ju dhënë fund të gjitha spekullimeve për të ardhmen e tij.
Futbollisti tetovar u prezantua dje nga ana e Drejtorit Sportiv të “Demave të Kuq”, Olsi Rama, teksa gjatë prezantimit fantazisti u prezantua me numrin 24.
Një numër që nuk pritej, por që ka një histori nga pas. Në sezonin 2013-2014, Hasani u transferua nga skuadra e Volfsburgut te Brondbi, aty ku mbajti për herë të parë numrin 24.
Pas dy sezoneve në Danimarkë, Hasani u transferua te Shkëndija, ku sërish mbajti numrin 24 mbi shpinë gjatë sezonit të parë, që më pas të shkëlqejë me numrin 10 mbi shpinë.
Të njëjtën gjë duket se Hasani kërkon ta përsërisë edhe me Partizanin. Fantazisti do të mbajë deri në fund të sezonit numrin 24 në fanellë, ndërsa nga sezoni i ardhshëm, pritet të marrë edhe fanellën me numrin e tij të preferuar, që për momentin është vakant te Partizani.