Struga Trim Lum ka regjistruar një fitore spektakolare me përmbysje përballë Pelisterit në ndeshjen e zhvilluar në Strugë, njofton “infOSport.mk”. Edhe pse struganët ndodheshin në disavantazh prej dy golave, në fund ata arritën deri tek fiitorja 3:2, që ishte e para në kuadër të ndeshjeve kontrolluese, pas atyre tre barazimeve të njëpasnjëshme kundër Gjilanit (3:3), Feronikelit (1:1) dhe Veleshtës (0:0).
Sulmuesi i talentuar, Taleski shënoi golin e parë të takimit në minutën e 19-të, ndërsa vetëm 3 minuta më pas, futbollisti i ardhur nga rradhët e Bellasicës, Razmoski dyfishoi epërsinë e skuadrës nga Manastiri.
Shkupjani Emir Skenderi tregoi shenjat e para të jetës për Struga Trim Lum në këtë ndeshje, kur në minutën e 39-të ngushtoi epërsinë e Pelisterit në 1:2.
Ky njëherit ishte edhe rezultati i pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë, Struga Trim Lum vetëm brenda dy minutave arriti që të zhvlerësojë epërsinë e miqve nga Manastiri.
Ishte përforcimi i vetëm i Struga Trim Lum deri në këto momente, Nemanja Bosançiç, ai i cili në minutën e 59-të barazoi shifrat në 2:2, ndërkohë për fitoren e skuadrës së Srgjan Zaharievskit u përkujdes, Filip Milenkovski me golin e realizuar në minutën e 61-të.
Edhe pse bëhet fjalë për një miqësore, kjo ndeshje prodhoi edhe disa momente nervozizmi, me ç’rast me kartonë të kuq u ndëshkuan Ilievski i Pelisterit dhe Tairi i Struga Trim Lum. (infOSport.mk)