Ferhan Hasani pa dyshim se ëshë një nga goditjet më të mëdha të Partizanit viteve të fundit. Tetovari u prezantua sot para mediave, edhe atë nën shoqërimin e Drejtorit Sportiv të ‘Demave të Kuq’, Olsi Rama, i cili tha se për të transferuar Hasanin u bazuan te cilësitë e tij si lojtar, por edhe si njeri.
“Ai e zgjodhi Partizani sepse është ekipi që ka punuar më mirë, me stabilet dhe ka qenë korrekt me stafin dhe lojtarët. Paga nuk mund të diskutohet, është mungesë respekti të flitet për detaje të tilla. Kemi bërë një marrëveshje shumë të mirë, shpresoj që edhe ai ta mendojë kështu. Shpresoj të gjithë të shikojmë frytet e kësaj marrëveshje. Partizani ka sjellë një lojtar që i sjell bukuri Superiores. Nuk ka qenë e vështirë, madje ishte e lehtë, kjo për shkak se u puqën objektivat tona. Jemi ulur kemi folur vjet dhe u bëmë miq. Nuk e mendova në asnjë moment t’i bëja ofertë. Këtë vjet natyrshëm që duhet të bashkohej me Partizanin. Prezenca në derbi mund të ketë ndikuar pak, pasi derbi ndihet edhe pa tifozë. Ndoshta e bëri më të lehtë edhe për mua t’i bëja ofertë. Diskutimi ynë zgjati 10 minuta, jo më shumë” – u shpreh Olsi Rama, i cili foli edhe derbin në merkato, atë kundër Tiranës, skuadër kjo që gjithashtu kishte qenë në kontakte me Ferhan Hasanin.
“Nuk ia morëm Tiranës Ferhan Hasanin, ai ka ardhur te ne. Kur ata po diskutonin nuk kemi ndërhyrë. Ishte zgjedhja e tij për të ardhur te Partizani. Ishte shumë i natyrshëm dhe i thjeshtë diskutimi me të. Shpresojmë të përsërisim fitore në derbi, këtë herë me Hasanin në fushë”, – përfundoi Rama.