Kamer Qaka është emri i katërt i ri në rradhët e Shkëndijës gjatë këtij afati kalimtarë, pas Rubin Hebaj, Igor Da Silva dhe Ferat Ramani, njofton “infOSport.mk”.
Qaka njëherit është edhe një ndër përforcimet më të bujshme të Shkëndijës, skuadër kjo që me këto lëvizje, dëshmon qartë se me çdo kusht këtë edicion do të kërkojë titullin e kampionit.
Qaka me Shkëndijën ka nënshkruar kontratë për dy vite e gjysmë, ndërsa arsyeja pse ka pranuar ofertën e “kuqezinjëve”, është serioziteti i klubit tetovar.
“Serioziteti i klubit më bëri të pranoj ofertën. Kam dëgjuar se Shkëndija luan futboll shumë ofenziv, ashtu si kam qejf edhe unë me shku përpara gjithmonë. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për këtë klub, se është skuadër serioze. Mezi pres të luaj për ekipin për të treguar edhe potencialin tim. E dij se Shkëndija është shumë e fortë në kampionat aq sa kam pa unë, por edhe në Europë kam ndjek disa ndeshje shumë të mira dhe janë përballur me skuadra të njohura. Shpresoj që edhe unë do të mund të ndihmoj skuadrën për të arritur edhe më shumë” – tha Kamer Qaka në prezantimin e tij me fanellën “kuqezi”.
I pyetur për Kombëtaren shqiptare dhe rikthimin eventual, Qaka u shpreh: “Mendoj se më me rëndësi është të paraqitem mirë për klubin, pastaj të shofim. Gjithë futbollistët duan të luajnë për kombëtaren, jam shqiptar dhe gjëja më e madhe është të luaj për kombëtaren”.
Për herë të fundit fanellën e kombëtares shqiptare Qaka e kishte zhvilluar me 3 qershor të vitit 2018-të kundër Ukrainës, ndërkohë kishte debutuar me 13 nëntor të vitit 2017-të në ndeshjen kundër Turqisë.
Ndryshe Kamer Qaka me fanellën “kuqezi” të Shqipërisë numëron 4 paraqitje, derisa i njëjti kishte qenë pjesë e ekipeve zinxhir të kombëtares norvegjeze U15, U16, U17, U18 dhe U19.