Enis Bardhi është rikthyer tek goli, teksa një gjë të tillë ka bërë në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Valjadolidit, e vlefshme për ndeshjet e 1/8 së finales, njofton “infOSport.mk”.
Bardhi shënoi golin e parë për Levanten, skuadër kjo që në fund shënoi fitore 4:2 dhe u kualifikua për në ndeshjet çerekfinale. Shkupjani shënoi një super gol në minutën e 23-të nga gjuajtja e lirë, duke bërë një gjë të tillë me mjaft mjeshtëri. Kur të gjithë prisnin që Bardhi të ekzekutonte goditjen e lirë në mënyrë standarde, me goditje fluturimthi, ai vendosi që një gjë të tillë të bëjë për tokë, duke mashtruar gjithë futbollistët në murin e gjallë, por edhe portierin Himeneze.
Bardhi në këtë ndeshje luajti si titullarë, ndërsa i njëjti u zëvendësua në minutën e 55-të, në ato momente kur Levante po avansonte me shifrat 2:0. Deri në fund të takimit të dyja skuadrat shënuan nga dy gola të tjerë, ndërsa në fund fitorja i takoi Levantes, që me plotë meritë u kualifikua në mesin e 8 skuadrave më të mira në Kupën e Spanjës, transmeton “infOSport.mk”.
Ndryshe përveç Bardhit, për Levanten realizuan edhe Malsa (45’), Koke (59’) dhe Morales (80’ penalti), ndërkohë në anën tjetër për vendasit realizuan Toni (13’) dhe Veisman (65’).