Tashmë disa ditë në Kërçovë, përgatitjet për stinorin pranveror i ka filluar edhe skuadra e Vëllazërimit, që sërish pritet të bazohet në forcat e reja, futbollistë të rinj, që janë edhe e ardhmja e këtij klubi, njofton “infOSport.mk”.
Gjithë fazën përgatitore skuadra do ta zhvillojë në Kërçovë, ku kanë paraparë të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore.
“Periudhën e përgaditjeve e filluam në Kërçovë edhe aty do jemi deri në fillim të kampionatit. Gjithashtu kemi paraparë të zhvillojmë edhe 6 ndeshje miqësore me FK Pobeda, KF Gostivarin, FC Shkupin, KF Besen, FK Skopjen dhe me FK Ohrin, që do të jetë edhe ndeshja e fundit para fillimit të kampionatit” – tha enkas për “infOSport.mk” Drejtori Sportiv i Vëllazërimit, Isak Arifi, i cili foli edhe për përforcimet e mundshme të skuadrës në prag të pjesës së dytë të sezonit.
“Jemi në bisedime me disa futbollistë të cilët së shpejti pritet ti bashkohen skuadrës në stërvitje. Lirisht mund të them se edhe sivjet do të jemi ekipi më i ri që garon në gjitha ligat e seniorëve pranë FFM-së. Këtë vit madje kemi ulur edhe më shumë mesataren, e cila është 19 vjeç. Puna me të ri është kënaqësia e jonë si klub, ashtu që lirisht mund të themi se neve jemi Ajaksi i Maqedonisë” – u shprej Arifi.
Vëllazërimi stinorin vjeshtorë në Ligën e Dytë – Perëndim e mbylli në pozitën e 6-të me 22 pikë, ndërsa ndeshjen e parë në pranverë kjo skuadër do ta zhvillojë në shtëpi kundër Veleshtës me 27 shkurt.