FC Shkupi ka barazuar 2:2 ndaj skuadrës ukrainase të FK Obolon Kiev, skuadër kjo që garon në Ligën e dytë, njofton “infOSport.mk”.
Trajneri Hasan Ozer takimin e nisi me një formacion të kombinuar me futbollistë që sezonin vjeshtor ishin bartës të lojës, por edhe futbollistë të cilët janë në testime nga klubi “bardhekaltër”.
Ndeshja nisi mirë për ekipin e FC Shkupit, pasi që në minutën e dytë krijuan epërsi. Freddy Alvarez mjaft mirë asistoi për Ilirid Ademin, i cili nuk fali dhe gjeti rrjetën kundërshtare për epërsi 1:0.
Edhe përkundër disa tentativave të futbollistëve “bardhekaltër”, por edhe atyre ukrainas, pjesa e parë u mbyll me vetëm një gol dhe epërsinë e FC Shkupit.
Në pjesën e dytë trajneri Ozer kishte ndryshuar komplet ekipin, duke futur edhe futbollistë më të ri si dhe ata që janë në testime.
Një formacion i tillë nuk solli shumë siguri në lojën e skuadrës nga Çairi, ndërsa këtë më së miri e shfrytëzuan ukrainasit, që shënuan dy gola të shpejtë brenda vetëm 5 minutave. Fillimisht në minutën e 55-të barazuan shifrat në 1:1, që më pas në të 60-tën të shohin veten në epërsi për herë të parë në këtë takim.
Mirëpo FC Shkupi u rikthye sërish në lojë, ku pas disa rasteve të krijuara para portës kundërshtare, shënoi me anë të Jakup Berishës.
Ndeshjen e rradhës FC Shkupi do ta zhvillojë me 28 janar përballë skuadrës së Akhmat Grozny, pjesë e së cilës është futbollisti shqiptarë Bernard Berisha.
Në anën tjetër ekipi i Obolon me 29 janar do të përballet me skuadrën kosovare të Malishevës, derisa me 02 shkurt për kundërshtarë do të kenë skuadrën e Akademia Pandev, që gjithashtu po zhvillon fazën e përgatitjeve në Turqi. (infOSport.mk)