Ferhan Hasani pa dyshim se është emri më i lakuar në merkaton e janarit në Superligën shqiptare, teksa i njëjti lidhet me një transferim të mundshëm te Partizani i Tiranës. Burime të “infOSport.mk” gjatë ditës së djeshme bënë me dije se Hasani veçmë ka arritur marrëveshje me “Demat e Kuq”, ndërsa një gjë të tillë në mënyrë indirekte pranoi edhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja.
“Edhe në ndeshjen e fundit kam thënë që prezantimi bëhet kur hidhet firma. Në dijeninë time tratativat janë drejt përfundimit, por kur të firmosë do të them se është i joni dhe sa i rëndësishëm është për skuadrën. Dihet se është me shumë vlera dhe e ka treguar kudo ku ka qenë dhe ka bagazh të madh teknik. Kur të jetë zyrtare do shprehemi më shumë në këtë drejtim” – ka thënë Ilir Daja.
Hasani gjithnjë sipas burimit të afërt të “infOSport.mk” me Partizanin do të nënshkruajë kontratë për një vit e gjysmë, ndërsa çështja që mban pezull ende konfirmimin e këtij transferimi është paga e lartë që kërkon futbollisti tetovar.
Olsi Rama tashmë disa ditë me rradhë po zhvillon negociatat përfundimtare me Hasanin, i cili me shumë gjasa me fanellën e Partizanit do të prezantohet vetëm pas ndeshjes me Teutën.