Bajerni i Munihut është rikthyer në identitet, teksa sot në ndeshjen në transfertë kundër Shalke 04, ka regjistruar një fitore të lehtë dhe komode, ashtu siç jemi mësuar me “bavarezët” të bëjnë një gjë të tillë gjatë pjesës më të madhe të sezonit, edhe pse një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për ndeshjet e fundit, kur madje u eliminua nga Kupa nga një skuadër modeste si Holshtejn Kill, njofton “infOSport.mk”.
Megjithatë në takimin e sotëm, i vlefshëm për javën e 18-të, Bajerni i Munihut u tregua i pamëshirshëm ndaj Shalke 04, duke e fundosur në renditje skuadrën nga Gellzenkirshen, që pavarësisht ndërrimit të trajnerëve nuk po arrinë dot të ngrejë kokën lartë.
Golat për “bavarezët” në takimin e sotëm mbajnë firmën e Tomas Myller (2), Robert Levandovski dhe David Alaba, mirëpo duke mos harruar këtu pa theksuar edhe Xhoshua Kimish, i cili pati një paraqitje fantastike, teksa asistoi në 3 nga gjithsej 4 golat e Bajernit.
Ky sukses e ka ngjitur Bajernin e Munihut në kuotën e 42 pikëve, 7 më shumë se skuadra e dytë në renditje Lajpcigu, ashtu që duke pasur parasysh formën e “bavarezëve” mund të themi se çështja e titullit në Gjermani praktikisht është një çështje e mbyllur. (infOSport.mk)