Shkëndija transferon edhe një sulmues, këtë herë nga Brazili

Pas Rubin Hebajt, Shkëndija ka angazhuar edhe një sulmues tjetër. Bëhet fjalë për brazilianin Igor Ëanderson Da Silva, i cili luan në krahë, ndërsa kjo do të jetë përvoja e tij e tretë në Europë, njofton “infOSport.mk”.

24 vjeçari i lindur në Araraquara të Brazilit me skuadrën tetovare ka firmosur kontratë për një vit e gjysmë, duke u zyrtarizuar si futbollist i ri i Shkëndijës.

Ndryshe Da Silva karrierën e ka nisur në vendlindje te skuadra braziliane e Metropolitano, ndërsa në vitin 2018 nga União Barbarense u transferua në Turqi te skuadra e Ligës së Parë, Gaziantep FK me të cilën skuadër doli kampion i ligës, duke siguruar promovim në Super Ligën turke.

Mirëpo pavarësisht këtij fakti Igor Da Silva vazhdoi të luaj në Ligën e Parë, pasi firmosi me Bursasporin, duke mos shijuar kështu asnjë ndeshje në Superligën turke.

Ai me Bursasporin u bashkua në vitin 2019-të, por për shkak pandemisë ai vendosi të rikthehej në Brazil ku për të ruajtur formën deri në transferimin e rradhës firmosi me EC Água Santa.

Ndryshe në Ligën e Parë turke, Da Silva regjistroi gjithsej 30 ndeshje dhe vetëm 2 gola të shënuar, edhe atë që të dy me Gaziantep.

Pas Rubin Hebajt dhe portierit Ferat Ramani, Da Silva bëhet transferimi i tretë i Shkëndijës në këtë merkato. Te Shkëndija braziliani do të mbajë fanellën me numrin 13-të.

Leave a Reply