Vedat Muriqi më në fund ka gjetur golin e parë me Lacion. Sulmuesi dardan është përballur me shumë kritika këtë periudhë, teksa sonte i dhuroi ekipiit të tij kualifikimin për në ndeshjet çerekfinale të Kupës së Italisë.
Lacio shënoi fitore 2:1 ndaj Parmës në Olimpiko, me sulmuesin nga Prizreni që realizoi golin e fitores në minutën e fundit të takimit.
Ndryshe Marko Parolo kaloi vendasit në avantazh në mesin e pjesës së parë, derisa skuadra nga “Enio Tardini” barazoi shifrat me anë të Valentin Mihaila në minutën e 83-të.
Dhe kur mendohej se kjo ndeshje do të shkonte në shtesa, në skenë doli sulmuesi shqiptarë, Vedat Muriqi, i cili nuk e kishte thënë akoma fjalën e fundit.
Bomberi dardan u zhyt bukur me kokë pas një krosi të ardhur nga krahu i majtë.
Muriqi u ndihmua edhe nga portieri i Parmës, të cilit iu plas topi në shpinë dhe më pas përfundoi në rrjetë.
Përfundimisht 2:1 për Lacion, skuadër kjo që në këtë mënyrë kualifikohet për në çerekfinale, aty ku do të përballet me Atalantan e Berat Xhimshitit.