Vllaznia e Mevlan Adilit dhe Demir Imerit po ecën me hapa të sigurtë në Superligën shqiptare, aty ku edhe sot regjistroi një fitore tjetër minimale, por shumë të sigurtë në garën për titullin e kampionit, njofton “infOSport.mk”.
Vllaznia në ndeshjen e vlefshme të javës së 15-të mundi Bylisin në transfertë me rezultatin 1:0, duke iu falënderuar golit të shënuar nga Ardit Hoxhaj në minutën e katërt shtesë të takimit.
Për Hoxhajn ishte ky goli i 8-të sezonal, ndërsa golin e tij të 7-të këtë edicion në Superligën shqiptare, e realizoi edhe Agim Ibraimi. Tetovari shënoi golin e parë për Kukësin në fitoren 3:1 në transfertën ndaj Apolonisë në Fier.
Si në shumicën e ndeshjeve tjera, edhe sot Ibraimi realizoi nga pika e bardhë, duke kaluar në epërsi Kukësin që në minutën e 15-të, ndërsa dy golat tjerë për skuadrën verilindore i shënuan Peposhi dhe Eze gjatë pjesës së dytë.
Golin e vetëm për Apoloninë në këtë takim e realizoi Smaçi pas një ore lojë.
Fitore minimale, por me shumë vlera në ndeshjet e sotme realizoi edhe Teuta, që falë golit të Dejvi Bregut mundi Kastriotin, ndërkohë ndeshja midis Laçit dhe Skënderbeut u mbyll me shifrat 1:1.
Ishin korçarët që kishin kaluar të parët në avantazh në këtë ndeshje me anë të Jorgo Meksit në minutën e 43-të, ndërkohë për barazimin e skuadrës laçiane u përkujdes Kirian Nvabueze, i cili në minutën e 51-të doli të jetë i saktë nga pika e bardhë, transmeton “infOSport.mk”.
Java e 15-të në Superligën shqiptare mbyllet nesër me super derbin Partizani – Tirana, që starton në ora 18:00.