Mevlan Adili me shokë marshojnë sigurtë drejt titullit kampion me skuadrën e Vllaznisë, që të premtën mundi në transfertë Kukësin e Agim Ibraimit, njofton “infOSport.mk”. Skuadra shkodrane shënoi fitore 1:0 në ndeshjen e parë të javës së 14-të në Superligën shqitare, duke iu falënderuar golit të Arlind Kalajës, i cili në këtë ndeshje zëvendësonte të suspenduarin Ardit Hoxhaj.
Kalaja golin e vetëm në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” e realizoi në minutën e 58-të.
Marku lëshoi një goditje të fortë nga jashtë zonës, Tafas nuk kontrolloi si duhet topin, duke i mundësuar Kalajës që të shtyej sferën drejt rrjetës.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Durrës, Teuta shënoi fitore 2:0 ndaj Bylisit, me ç’rast skuadra durrsake vazhdon të ruajë distancën prej 9 pikëve ndaj Vllaznisë së vendit të parë.