Skuadra e FC Shkupit pas arritjes në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Antalia të Turqisë, sot nuk ka humbur kohë dhe ka shfrytëzuar ditën për të zhvilluar dhe stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit të ri, Hasan Ozar.
Edhe pse ky i fundit që disa ditë më herët është emëruar në postin e trajnerit te FC Shkupi, i njëjti nuk udhëtoi për në kryeqendrën tonë, por e priti skuadrën në vendlindjen e tij, aty ku “bardhekaltërit” do të mbushin bateritë për në stinorin pranveror, ku do të synojnë vendin e parë.
Ekipi ka kaluar me sukses stërvitjen e parë nën drejtimin e Ozer, i cili fillimisht u njoftua me futbollistët, ashtu që nga dita e nesërme i njëjti si dhuratë ua kumtoi nga dy seanca stërvitore brenda ditës, të kombinuara në palestër dhe terren të hapur.
Gjithashtu në takimin e parë prezent ishte edhe pronari i klubit, Ogun Aydin, i cili pasi ju dëshiroi mirëseardhje futbollistëve, i komplimentoi ata për rezultatet e stinorit vjeshtor, ku skuadra nga Çairi u ndal në vendin e dytë me 6 pikë ngecje ndaj liderit, Shkëndijës.
Duke ju dëshiruar përgatitje kualitative dhe qëndrim të këndshëm në tokën turke, Aydin njëkohësisht ju dëshiroi atyre edhe një sezon të suksesshëm pranveror.