FFK e pamëshirshme ndaj presidentit të Prishtinës, e dënon me një vit ndalesë

Komisioni Disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Kosovës, është treguar i ashpër me presidentin e FC Prishtinës, Remzi Ejupin, pasi që e ka dënuar me një vit ndalesë nga ushtrimi i funksionit të tij.

Ejupi kishte drejtuar gishtin nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës për mënyrën e menaxhimit të këtij institucioni, ndërkohë që Komisioni i Garave hapi procedurë disiplinore, pas deklaratave të tij në media.

Megjithëse vendimi i Komisionit Disiplinor nuk është publikuar fare në rrjetet sociale, i njëjti tashmë ndodhet në sajtin kryesor të FFK-së:

Vendimi i plotë i Komisionit Disiplinor

Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në përbërje; Met  Çeku – kryetar dhe Dukagjin Zefi, Luan Salihu, Avni Shala dhe Bekim Behrami – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 13.01.2021 shqyrtoi procedurën e hapur disiplinore nga mbledhja  e datës 30.12.2020 ndaj kryetarit të FC PRISHTINA, z. Remzi  Ejupi  për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj në shkrimet e publikuara si dhe incizimet TV të transmetuara në insport.com (Gazetë online) dhe  për  të njëjtat duke iu referuar  Rregullores disiplinore neni 61 paragrafi 1 pika b sjelli këtë;

V E N D I M

REMZI  EJUPI; kryetar i FC PRISHTINA  nga Prishtina për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj  dënohet me ndalesë në kryerjen e të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës  në kohëzgjatje për ; 1 (një)  vit .

A r s y e t i m

Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në rastin e shqyrtimit të rastit për bazë pati të gjitha shkrimet e publikuara  si dhe incizimet televizive të transmetuara në; Insport.com (gazetë online) nga ana e kryetarit  të FC Prishtina, z. Remzi Ejupi i cili shpif dhe përhap të pavërteta për Federatën e Futbollit të Kosovës në pretendimet e tij të cituara përmes fjalëve; “skandali“ “keqpërdorimet”, “privatizimi“ , “grup njerëzish”, “infektimi i përzgjedhësit Bernard Challandes”, “humbja e ndeshjes ndaj Sllovenisë” dhe “dyshimet në bastore” e të tjera, për të cilat z. Remzi Ejupi ishte i obliguar që në kohën e përcaktuar nga ana e Komisionit të sjellë fakte dhe të sigurojë prova për të gjitha këto të thëna, por  një gjë e tillë nuk ndodhi, andaj komisioni disiplinor i shkallës së parë duke respektuar Dispozitat e Rregullores disiplinore;  neni 61 Paragrafi 1 pika b; sjellë vendimin e lartshënuar për dënimin e z. Remzi Ejupi kryetar i FC Prishtina  me ndalesë për kryerjen e të gjitha  funksioneve zyrtare në klub në kohëzgjatje për; 1 (një) vit  në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës.

KËSHILLA  JURIDIKE

Pala e pa kënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komisionit disiplinor të shkallës së dytë; komisionit për ankesa në afatin kohor prej 8 (tetë) ditëve nga data e sjelljes së vendimit, respektivisht pranimit të tij. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.

Prishtinë, datë 13.01.2021

Komisioni disiplinor; shkalla e parë, kryetari  Met  Çeku

Leave a Reply