Futbollistë shqiptarë gjithandej, e mbi të gjithë mjaft të suksesshëm. I tillë është rasti edhe me sulmuesin Berat Sadik, me origjinë nga Shkupi, që aktualisht mbron ngjyrat e skuadrës së Doxa, në Superligën e Qipros, shkruan “infOSport.mk”.
Berat Sadik është një emër i njohur për futbollin europian, pasi i njëjti për vite me rradhë ka luajtur në nivele të larta, ndërsa një periudhë bukur të mirë ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Finlandës.
Sadik në futbollin qipriot u transferua gushtin e vitit 2019-të, ndërsa me ekipin e Doxa luan që nga korriku i vitit të kaluar. Dhe këtu Sadiku ka gjetur veten, pasi në 16 ndeshje ka regjstruar 10 gola dhe 5 asistime, duke ndarë pozitën e parë në lilstën e golashënuesve bashkë edhe me francezin Nicolas Diguiny, që mbron ngjyrat e Apollon Limasol.
“Është gjysma e sezonit, kemi kaluar shumë mirë si ekip, por edhe unë si individ. Synimet e ekipit janë që të jemi në TOP6 dhe të luftojmë për një vend në Europë më pas, ndërkohë synimet e mira personale, si të çdo sulmuesi janë që të fitojë Këpucën e Artë. Besoj fuqishëm në këtë se mundem me e arritë” – u shpreh fillimisht për “infOSport.mk”, Berat Sadik.
Golat dhe paraqitjet e tij me fanellën e Doxa me siguri se nuk mbetën pa u vërejtur edhe nga ekipe të tjera, mirëpo për momentin Berat Sadiku është i përqëndruar me këtë skuadër, edhe pse nuk përjashton mundësinë për të bërë edhe një hap tjetër në karrierë, gjithnjë nëse në adresë të tij vjen ndonjë ofertë e mirë dhe nga ndonjë kampionat më i madh.
“Është një pyetje e vështirë me dhënë përgjigje. Jam i kënaqur këtu, pasi vërtetë më ka shkuar mbarë. Mirëpo normal se nëse më vjen ndonjë ofertë prej ndonjë skuadre tjetër më të madhe, ose prej ndonjë lige më të madhe, atëherë do e mendojë seriozisht” – u shpreh Sadik.
Duke pasur parasysh se aktualisht Sadiku po luan në futbollin ballkanas, në pyetjen tonë nëse një ditë mund të luajë edhe në vendlindjen e tij, në futbollin e Maqedonisë, Sadiku tha: “Shkupin e kam në zemër se jam shkupjan. Gjithashtu i përcjelli ndeshjet e FC Shkupit dhe skuadrave tjera shqiptare në Maqedoni. Mirëpo me thënë drejt një gjë të tillë nuk e kam menduar asnjëherë. Mirëpo futbollit nuk i dihet, pasi nuk dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodh, apo ku mund të përfundosh të nesërmen”.
Berat Sadik i cili një kohë të gjatë ka jetuar në Finlandë, karrierën e tij e ka nisur pikërisht në këtë vend te skuadra e Kups, që më pas të luaj edhe me Lahti, nga e cila skuadër verën e vitit 2008 u transferua në Gjermani te skuadra e Arminia Bilefilld. Gjermanët e kishin huazuar atë në Belgjikë te Zulte Varegem, për tu rikthyer në vitin 2010 sërish në Finlandë, dhe sërish te skuadra e Lahtit, që më pastaj për dy vite të plota të luaj me shumë herë kampionët e Helsinkit.
Pikërisht paraqitjet e tij të mira dhe 28 golat e shënuar me Helsinkin në 57 ndeshje, bënë që shkupjani janarin e vitit 2013-të transferohet në elitën e futbollit zviceran te skuadra e Tun, për të cilën skuadër në 100 ndeshje realizoi 23 gola.
Pasoi një transferim në Rusi te skuadra e Samara, nga e cila në vitin 2017-të për herë të parë zbarkoi në futbollin qipriot, duke iu bashkuar skukadrës së Doxa Katokopias, për të cilën skuadër në 58 ndeshje ka realizuar 40 gola, 10 prej të cilëve këtë edicion.
Pikërisht rikthimi i tij i fuqishëm tek goli, bënë që Berat Sadik janarin e vitit 2019-të të transferohet në Spanjë te skuadra e Gimnastik, ku kaloi 7 muaj, që më pas sërish të rikthehet në Qipro, mirëpo kësaj rradhe me ekipin e Anortozis dhe më pas edhe me EN Paralimniou, nga e cila skuadër me 18 korrik të vitit të kaluar iu bashkua sërish skuadrës së Doxa, aty ku edhe ka gjetur veten.
Vlen të përmendet se te Doxa përveç Berat Sadik, luajnë edhe dy shkupjanë të tjerë, Dusko Trajçevski (ish futbollist i Rabotniçkit) dhe portieri Damjan Shishkovski, njëherit anëtarë i përfaqësueses së Maqedonisë.
Pas 19 xhirove të para në elitën e futbollit qipriot, Doxa renditet në pozitën e 6-të me 25 pikë.